Pas shpalljes së vendimit nga gjykata në Hagë, i cili dënoi me 25 vjet burg ish-zëdhënësin e UÇK-së Jakup Krasniqi, ka reaguar vajza e tij, Gresa Krasniqi.
Të lidhura
None found
Në një mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës, ajo e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe shprehu zhgënjim të thellë për dënimet e babait të saj, si dhe të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
“Sigurisht që ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer. Por, nuk do të na thyejë kurrë dhe nuk do të na dorëzojë asnjëherë,” shkroi ajo.
Krasniqi theksoi se mbetet e palëkundur në besimin e saj për pafajësinë e të akuzuarve, duke veçuar bindjen e plotë për babain e saj. “Unë jetoj dhe do të vdes me bindje të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës,” deklaroi ajo.
Në reagimin e saj, ajo kritikoi ashpër vetë gjykatën, duke e përshkruar atë si një institucion “të padrejtë, politik, racist dhe kriminal.” Këto ishin fjalët e saj të forta për vendimin dhe trupën gjykuese.
Ajo mbrojti gjithashtu kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në konfliktin e viteve 1998–1999, duke argumentuar se anëtarët e saj luftuan për të mbrojtur popullatën shqiptare në Kosovë.
Reagimi u mbyll me një mesazh të përmbledhur: “Krenaria mbetet. E vërteta mbetet. Ne do ta vazhdojmë luftën për liri dhe drejtësi!”
