Gjykata e Shkodrës, ka vendosur masën ‘arrest në burg’ për Andri Vulaj, autor i vrasjes të Ylber Lulit më 8 shtator në lagjen “Kongresi i Përmetit”.
25-vjeçari nuk ka dhënë asnjë dëshmi as në gjykatë dhe as në polici. E vetmja dëshmi është ajo e avokatit mbrojtës, Arbër Raja i cili deklaroi se autori i dyshuar ka dëmtime me thikë në fytyrë, qafë dhe pjesën e krahut në njërën dorë.
Të lidhura
None found
Pala mbrojtëse i kërkoi prokurorisë që të vlerësojë këto dëmtime që ka autori i dyshuar se përse kanë ardhur dhe nga kanë ardhur.
Ndërkohë babai i viktimës Qamil Luli, ka deklaruar në dëshminë e tij se ka qenë në gjumë dhe ka dëgjuar zhurma nga sherri mes djalit të tij dhe autorit të dyshuar.
Pasi ka dalë në oborr, babai ka pranuar se kanë goditur me thikë autorin e dyshuar dhe më pas është qëlluar djali i tij Ylber Luli i cili ka marrë një plagë në pjesën e barkut duke humbur jetën.
Po ashtu prokuroria ka cituar gjatë masës së sigurisë se autori i dyshuar ka shkuar me dy persona që viktima i ka njohur dhe e kanë shoqëruar deri tek banesa.
Sipas organit të akuzës, viktima Ylber Luli përmes SMS i ka kërkuar dy shokëve të tij që ta sjellin në shtëpi autorin Andri Vulaj që të sqaroheshin.
Pasi kanë shkuar tek shtëpia ka ndodhur konflikti mes dy të rinjve, të cilët fillimisht janë përleshur dhe pas plagosjes me thikë të Andri Vulaj, dyshohet se ky i fundit ka qëlluar me një pistoletë të vogël, me forcë tejshpuese nga afërsia duke lënë të vdekur Ylber Lulin.
Prokurorja Albulena Kuliçi kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg”, kërkesë të cilën gjyqtarja Zamira Lila e pranoi duke lënë në paraburgim autorin e dyshuar të dyshuar të vrasjes Andri Vulaj.
Sherri mes tyre deri më tani pretendohet se ka ndodhur në një lokal në pedonalen e Shkodrës mes dy të rinjve, të cilët kanë debatuar duke i thënë njëri-tjetrit “pse më sheh”.
Ky konflikt u zhvendos në banesën e viktimës duke përfunduar në mënyrë tragjike me vdekjen e Ylber Lulit i cili u qëlluar me armë zjarri.
Pala mbrojtëse është duke pritur të njihet me aktet dhe provat që ka prokuroria. Më pas autori i dyshuar mund të dëshmojë për ngjarjen e rëndë ndërsa për momentin sipas burimeve, ai është në gjendje të rëndë psikologjike.
