Investimi i madh i Barcelonës për Anthony Gordon duket se po shpërblehet menjëherë, pasi anglezi ka arritur të bindë edhe skeptikët brenda vetëm pak javësh te klubi katalanas.
Të lidhura
None found
Në maj, Barcelona mbylli marrëveshjen me Newcastle United për ta sjellë sulmuesin anglez për rreth 80 milionë euro, një operacion që në ato ditë u shoqërua me mjaft pikëpyetje.
Sidoqoftë, Gordon ka dhënë përgjigjen më bindëse në fushën e lojës. Fillimi i 25-vjeçarit me Barcelonën ka qenë i jashtëzakonshëm dhe paraqitjet e tij kanë ndikuar edhe në rritjen e vlerës së tregut.
Në fillim pritej që Barcelona të përforconte krahun e majtë me Marcus Rashford, pas huazimit të suksesshëm të tij nga Manchester United në sezonin e kaluar.
Marrëveshja për Rashfordin përmbante një opsion blerjeje prej 30 milionë eurosh, por Barcelona nuk e aktivizoi atë dhe në vend të tij shpenzoi dukshëm më shumë për Gordonin.
Ky vendim ngjalli skepticizëm te një pjesë e tifozëve, por anglezit iu desh fare pak kohë për t’i bindur ata.
Në katër ndeshjet e para në La Liga, Gordon ka dhuruar pesë asistime, ndërsa në Ligën e Kampionëve debutoi si zëvendësues në pjesën e dytë të fitores 5-1 kundër Feyenoordit.
Forma e tij e lartë ka bërë që edhe vlera e kartonit të tij të rritet.
Sipas vlerësimit më të ri të CIES Football Observatory, Gordon tani vlerësohet rreth 90 milionë euro, që përbën një rritje prej afërsisht 10 milionë eurosh krahasuar me shumën që Barcelona pagoi për të.
