LSDM-ja ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski se ka gënjyer për shpenzimet e festimit të pavarësisë, duke theksuar se pretendimi i tij për një kosto prej “0 denarësh” u hodh poshtë dje edhe nga zëdhënësja e Qeverisë gjatë një konference për shtyp. Sipas partisë, për këtë organizim janë përdorur mbi 5 milionë euro nga paratë e qytetarëve, duke u vërtetuar kështu ajo që kryetari Filipçe dhe LSDM-ja kanë deklaruar që në fillim.
Të lidhura
None found
“Është dëshmuar sërish se mashtruesi Mickoski gënjen sa herë që flet. Pasi tashmë u pranua se nuk bëhet fjalë për ‘0 denarë’, por për më shumë se 5 milionë euro, ai duhet t’u tregojë publikisht qytetarëve se ku kanë përfunduar paratë e tyre”, deklarojnë nga LSDM-ja.
Partia pretendon se shuma prej mbi 5 milionë eurosh është shpenzuar nëpërmjet Lotarisë Shtetërore, një kompani që është 100% në pronësi të shtetit, ndërsa nuk dihet se për çfarë dhe ku janë përdorur këto mjete. Nga LSDM-ja kërkojnë të bëhet e ditur se cilat kompani kanë marrë miliona euro nga paratë e popullit, mbi çfarë kriteresh janë përzgjedhur dhe sa milionë euro janë ndarë për komisione dhe përqindje.
Sipas LSDM-së, bëhet fjalë për përvetësim të madh të parave dhe për një mënyrë të shtrembër qeverisjeje nga Mickoski dhe Grupi i tij i Krimit të Organizuar. Partia akuzon se qytetarëve u është thënë se festa kushtoi “0 denarë”, ndërkohë që informacionet po mbahen të fshehta, po kryhen manipulime dhe miliona dollarë kanë përfunduar në xhepat e dikujt.
“Kërkojmë që Mickoski t’i publikojë pa vonesë të gjitha pagesat, në mënyrë që qytetarët, të cilët kanë paguar 5 milionë euro nga paratë e tyre, të mësojnë se kush ka marrë mjete, sa ka përfituar dhe për çfarë janë dhënë ato”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
