Rene Haas, drejtori ekzekutiv i kompanisë britanike të çipave Arm Holdings, beson se Inteligjenca Artificiale mund të zbulojë një trajtim për kancerin që, pa ndihmën e saj, njerëzimit do t’i duhej shumë më tepër kohë për ta gjetur. Në një intervistë për BBC, ai shpjegoi se modelimi i një qelize njerëzore dhe përcaktimi i mënyrës se si kanceri ndikon te një shënues i ADN-së mbetet aktualisht një sfidë jashtëzakonisht e ndërlikuar.
Të lidhura
None found
Sipas Haas, zhvillimi i kapaciteteve kompjuterike dhe përmirësimi i modeleve të Inteligjencës Artificiale mund ta bëjnë të zgjidhshëm këtë problem në të ardhmen. “AI do të ndihmojë në kurimin e kancerit gjatë jetës sonë”, deklaroi ai, duke nënvizuar se modelet do të fuqizohen më tej ndërsa trajnohen me sasi gjithnjë e më të mëdha të dhënash.
Elon Musk “gjeneron” me 202 miliardë dollarë në një muaj/ Ja 10 njerëzit më të pasur në botë…
Ekspertët e mjekësisë dhe kërkimit shkencor vlerësojnë se ndikimi i AI në këtë fushë do të varet kryesisht nga cilësia e informacionit me të cilin trajnohen sistemet. Profesori Chris Bakal, nga Instituti për Kërkimet ndaj Kancerit në Londër, tha se debati nuk përqendrohet më te përdorimi ose jo i AI-së, por te lloji i të dhënave që i vihen në dispozicion.
Bakal shtoi se kjo teknologji mund të reduktojë me vite kohën e nevojshme për krijimin e terapive të reja, përmes analizimit të të dhënave të mbledhura drejtpërdrejt nga mostrat e pacientëve. Ndërkohë, Haas paralajmëroi se mungesa e çipave po kufizon zgjerimin e mëtejshëm të Inteligjencës Artificiale. Ai tha se kërkesa aktuale për çipa tejkalon ofertën, ndërsa ngritja e qendrave të reja të të dhënave kërkon kapacitete të mëdha prodhuese.
Drejtuesi i Arm parashikoi se gjatë pesë viteve të ardhshme robotët humanoidë të pajisur me AI do të përdoren gjerësisht në prodhim, pastrim, siguri dhe ndërtim. Megjithatë, ai shprehu dyshime se Britania e Madhe mund të krijojë një industri të madhe vendase për prodhimin e çipave. Sipas Haas, kjo industri kërkon investime kolosale, staf të specializuar dhe burime të konsiderueshme.
Arm projekton procesorët që përdoren në qindra miliarda pajisje në të gjithë botën, mes tyre telefona, automjete, orë inteligjente dhe pajisje të tjera elektronike.
