Bujar Nishani kërkon dorëheqjen e Bashës: Zhgënjim dhe dëshpërim i madh

Ish presidenti Bujar Nishani ka reaguar lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, teksa sipas tij ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit e opozitës teksa ka kërkuar dorëheqjen e kreut demokrat Lulzim Basha.

Sipas Nishanit, Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike, dhe kjo e fundit nuk është pronë personale e një njeriu.

Deklarata e Nishanit

‘Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.

Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve !

Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjeson atë pak nga pak.

Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.

Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal !

Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh !

Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.

Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.

Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.

Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim !’- shkruan Nishani.


Shtuar 27.04.2021 20:53