Shaqiri e Xhaka kujtojnë ndeshjen që bëri krenarë shqiptarët (VIDEO)

Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka kanë kujtuar të hënën mbrëma ndeshjen që kishte bërë shumë krenarë të gjithë shqiptarët nëpër botë.

Dy futbollistët e mëdhenj shqiptarë dy vjet më parë kishin realizuar nga një gol për fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë në Botëror.

Ajo fitore 2:1, e arritur në Kaliningrad të Rusisë, në kuadër të fazës grupore të Botërorit, ishte festuar thuajse në çdo qytet shqiptar. Mënyra e festimit me shqiponjë pas golit të Xhakës e më pas edhe të Shaqirit kishte bërë bujë. U kishte hapur telashe dy futbollistëve, por gëzimi e krenaria ishim shumë më të mëdha.

Serbia kishte udhëhequr 1:0 që në minutën e pestë. Granit Xhaka kishte realizuar gol të bukur në minutën e 52-të për 1:1, kurse Shaqiri pasi vrapoi prej gjysmës së fushës, mposhti portierin serb për fitoren historike të Zvicrës, të festuar gjerësisht nga shqiptarët. Shaqiri kishte realizuar në minutën e 90-të. Për Zvicrën kishin luajtur edhe Valon Behrami e Blerim Xhemaili.

Ajo fitore doli të jetë vendimtare për Zvicrën që avancoi tutje. Ndërkohë Serbia u eliminua që në fazën grupore.

Shaqiri e Xhaka e kanë përkujtuar atë ndeshje me postime në rrjetet sociale, të hënën mbrëma.

“Dy vjet më parë ishte një ditë e veçantë për mua. Një prej golave më të mirë që kam shënuar ndonjëherë. Koha kalon por kujtimet mbesin gjithnjë”, ka shkruar Xhaka.

Një postim e ka bërë edhe Shaqiri duke e përkujtuar golin e minutave të fundit.


Shtuar 22.06.2020 20:40