ZYRTARE/ Real Madridi konfirmon rastin me koronavirus, skuadra në karantinë

Real Madridi është në karantinë, pasi një basektbollist i klubit të bardhë rezultoi pozitiv me “Coronavirus”.

Kjo ka bërë që “Valdebebas” të mbyllet dhe të gjithë lojtarët e ekipit të futbollit, të cilët kishin stërvitje të planifikuar për në orën 11:00 të ditës së sotme, janë larguar nga ambientet e “Ciudad Deportiva”.

Lojtarët, stafi stërvitor dhe punonjësit e tjerë të Real Madridit do të jenë në shtëpi, në karantinë, për 15 deri në 20 ditë, kështu që ndeshja e nesërme kundër Eibar nuk do të luhet, as ndeshja e Champions-it kundër Manchester City, si dhe ndeshja e La Liga-s kundër Valencia, e planifikuar për më 21 mars në “Bernabéu”.

Real Madridi ka lëshuar një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë situatë, duke sqaruar se skuadrat e basketbollit dhe të futbollit janë në karantinë:

“Real Madrid C.F. raporton se një lojtar nga ekipi ynë i parë i basketbollit ka rezultuar pozitiv pas testimit për koronavirusin COVID-19. Që aty ka nisur karantinimi i skuadrës së parë të basketbollit dhe skuadrës së parë të futbollit. Po kështu, është vendosur që të mbyllin ambientet e qytetit tonë sportive.

Gjithashtu, rekomandohet që i gjithë personeli i Real Madridit që ofron shërbimet në “Real Madrid City” të mbetet në karantinë. Ndeshjet që ishin caktuar për sot dhe nesër, që korrespondojnë me basketbollin e Euroligës dhe futbollin e La Liga-s, nuk do të luhen”.


Shtuar 12.03.2020 13:01