ZYRTARE / Merret vendimi për ndeshjet e Seria A, mes tyre dhe derbi Juventus-Inter

Ashtu siç pritej, qeveria italiane ka vendosur që të aprovojë kërkesën e klubeve të Serisë A për të zhvilluar ndeshjet pa praninë e tifozëve, në mënyrë që të mos ndalet kampionati i Serisë A.

Ministri për politikat rinore dhe sportin, Spadafora, konfirmoi se ishte marrë një vendim i tillë për të ndaluar grumbullimet e njerëzve në zonat e goditura më rëndë nga koronavirus.

“Janë në fuqi masa që ndalojnë zhvillimin e aktiviteteve deri të dielën e ardhshme, fillimisht për Lombardinë, Veneto dhe Piemonte. Me dekretin e sotëm kemi zgjeruar hartën edhe në Friuli, Emilia Romanja dhe Liguria. Në këto rajone, mbetet në fuqi ndalimi i aktiviteteve sportive, por për disa prej tyre kemi dhënë gatishmërinë tonë që të zhvillohen me dyer të mbyllura”, tha ai, duke sqaruar se për momentin nuk do të shtrihej ky vendim edhe për pjesën tjetër të Italisë.

Kështu, në fundjavën e ardhshme do të jenë 5 ndeshje të Serisë A që do të luhen pa praninë e tifozëve. Mes tyre bie në sy supersfida që mund të jetë vendimtare në luftën për titull, Juventus-Inter, por ndërkohë janë edhe ndeshje të tjera interesante si Milan-Xhenoa, Parma-SPAL, Sasuolo-Breshia dhe Udineze-Fiorentina. Të gjitha këto sfida zhvillohen në krahinat e sipërpërmendura. Pritet të mësohet se mos kësaj liste i shtohet edhe dueli Sampdoria-Verona.


Shtuar 24.02.2020 21:35