Ylli i Tottenham befason nga karantina: Po rris pula, i kam si fëmijët e mi

Prej disa javësh tashmë thuajse e gjitha bota është futur në karantinë, e shumë prej tyre nuk kanë me cfarë ta kalojnë këtë periudhë duke u futur edhe në depresion. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur me yllin i Tottenham, Eric Dier, i cili në këtë periudhë është marrë me rritjen e pulave.

26-vjeçari i ka bërë vetes dhuratë disa pula, të cilat i ka vendosur në një kotec që ka improvizuar në kopshtin e vilës së tij, me të cilat kalon kohën në këto ditë të vështira karantine.

“Kam marrë disa pula, njëra quhet Margot”, tha anglezi, i cili ka mbjellë edhe kopshtin e tij me patate, kunguj dhe erëza të ndryshme, fotot e të cilave përfundojnë në grupin virtual të komunikimit me shokët e skuadrës.

“Kujdesem për pulat dhe të mbjellat. Margot është si fëmija im i vogël. Dal çdo ditë dhe kujdesem për to. Jam argëtuar shumë duke u marrë me diçka të tillë, por sigurisht që do të kisha preferuar të kisha luajtur futboll. Por nuk ankohem dhe po ia dal mirë”, theksoi futbollisti i Jose Mourinho.


Shtuar 23.04.2020 12:23