Ylli i City-t: Mjaftuan 15 minuta për të ndërtuar planin për të shkatërruar United

Mesfushori Kevin De Bruyne ka thënë se skuadrës së Manchester Cityt iu deshën vetëm 15 minuta për ta bërë gati të gjithë planin për ta shkatërruar Manchester Unitedin në gjysmëfinalen e parë të Carabao Cup, që u zhvillua të martën në Old Trafford.

Manchester City e dominoi pjesën e parë të gjysmëfinales së parë të Carabao Cup në Old Trafford, ku Bernardo Silva dhe Riyad Mahrez e kaluan skuadrën e Pep Guardiolës në epërsi, para se rezultatin ta thellonte një autogol e Andreas Pereiras.

Marcus Rashfordi arriti ta zvogëlojë epërsinë e Cityt në pjesën e dytë të ndeshjes me një gol për Manchester Unitedin, që tani do ta vizitojë Etihadin më 29 janar me shpresën për ta përmbysur rezultatin 3:1.

Guardiola e nisi këtë ndeshje pa sulmues, duke i lënë Sergio Agueron dhe Gabriel Jesus në bankë rezervë dhe i përdori De Bruyne dhe Bernardo Silvan si sulmues të rremë. Pas ndeshjes, De Bruyne zbuloi se si e bënë këtë plan City për 15 minuta.

“E bëmë të gjithë këtë për 15 minuta sot në mëngjes – kjo ishte e gjitha. Të hënën ne nuk ishim stërvitur për këtë taktikë, ndërsa sot në mëngjes po”, tha belgu.

“Por, nuk është se nuk e kemi përdorur këtë taktikë kurrë më parë kundër skuadrave që luajnë si Unitedi. Mendoj se kishim luajtur kështu edhe kundër Barcelonës në vitin e parë. Kështu që e dinim çfarë duhet të bënim nga ato herë”.

Djajtë e kuq ishin duke pësuar disfatë me rezultat 3:0 kur përfundoi pjesa e parë e ndeshjes të së martës. Kjo ishte hera e parë që ata i pësuan tri gola në shtëpi gjatë pjesës së parë që nga maji i vitit 1997, kundër Middesbrough.


Shtuar 8.01.2020 14:27