U dëmtua për herë të dytë, Zaniolo: I pafat, por kurrë nuk e kam menduar tërheqjen

Është një nga futbollistët më të talentuar italianë dhe ka tërhequr vëmendjen e botës mbarë që kur debutoi me fanellën e Romës në 2018-ën, por Nicolo Zaniolo është vërtetë i pafat me dëmtimet.

Në muajin janar fantazisti 21-vjeçar këputi ligamentin e gjurit të djathtë dhe iu nënshtrua një operacioni, ndërsa vetëm pak ditë pas rikuperimit, pësoi të njëjtin dëmtim në gjurin e majtë, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve, ndaj Holandës.

Zaniolo do t’i nënshtrohet një operacioni ditën e hënë në një klinikë në Austri dhe pritet që më pas të nisë një fazë të gjatë rikuperimi, pasi rikthimi në fushën e blertë pritet të ndodhë jo më herët se muaji mars.

Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, fantazisti 21-vjeçar pranoi se është i pafat me dëmtimet e njëpasnjëshme, por shtoi me humor se të paktën po sistemon njëherë e mirë gjunjët e tij.

“Nuk kam menduar asnjëherë për t’u tërhequr nga futbolli, madje as në momentin kur e kuptova se çfarë dëmtimi pësova. I jap vetes forcë, duke thënë se të paktën mbarova punë me gjunjët…, megjithatë e pranoj se po paguaj një çmim të kripur për shkak të fatit të keq. E di mirë çfarë dëmtimi është dhe sa i vështirë do të jetë rikuperimi, por jam optimist dhe kam filluar të mendoj që tani për rikthimin në fushën e lojës”, u shpreh Zaniolo.


Shtuar 12.09.2020 09:16