Trajneri i Belgjikës i del në mbrojtje Lukakut: Po të ishte Maradona nuk do të flisnit kështu

Lukaku, i cili këtë sezon ka shkëlqyer me fanellën e Inter, ka hasur në disa kritika, të cilat më shumë lidhen me paaftësinë e lojtarit për të luajtur me këmbën e djathtë.

Megjithatë, selektori i kombëtares së Belgjikës, Roberto Martinez, beson se po të ishte ndonjë emër si Maradona, askush nuk do ta përmendte këtë fakt.

“Disa kanë qëllimin që të shpërfaqin çfarë një lojtar nuk ka, ose nuk bën. Ka disa lojtarë për të cilët tregohen gjërat e mira, dhe disa lojtarë për të cilët tregohen vetëm të këqijat. Romelu futet në kategorinë e dytë, pas aventurës me Chelsea”, ka thënë Martinez.

“Ai pati sezone të mira me Everton, por sapo kaloi te Man Utd, të gjithë vinin re kur ai nuk shënonte, pastaj ndikonte në paraqitjet e tij. Kjo ka qenë befasuese për mua, sepse Rom ka kualitetete të mrekullueshme. Ai është golashënues, nuk mund të matet për gjërat tjera që nuk i bën, sikur të themi Maradona nuk ishte i mirë në mbrojtje”, ka shtuar selektori i Belgjikës.

“Askush nuk flet mbi atë se sa herë përdori Maradona këmbën e djathtë. Rom është një golashënues. Kjo është puna e mirë dhe këtë bën më së miri”, ka thënë ndër të tjerash Martinez.

Lukaku ka 52 gola të regjistruara në 84 ndeshje të luajtura me kombëtaren e Belgjikës. Ai mbush 27 vite gjatë muajit tjetër.


Shtuar 26.04.2020 07:20