Tërmeti dhe era e fortë shkaktojnë dëmtime në stadiumin Air Albania (VIDEO)

Era e fortë e disa ditëve më parë, por edhe tërmeti kanë shkaktuar disa dëmtime në fasadën e stadiumit të ri kombëtar, “Air Albania”.

Flitet se shifrat e dëmeve mund të arrijnë në miliona euro, dhe kjo nga burime shumë pranë kompanisë “Albstar” që është marrë me ndërtimin e stadiumit.

Jo vetëm kaq, por thuhet se ka sjellë shqetësime të mëdha për kompaninë e cila raportohet se ka shpenzuar deri tani 58 milionë euro, dhe duhet të nxjerrë nga xhepi edhe shumë më tepër, ndërsa nuk është e qartë sesa do të arrijë të fitojë.

Shkak, sipas këtyre burimeve ka qenë lënia hapur e disa dritareve në fasadë, gjë që ka lejuar hyrjen brenda të erës së fortë, dhe fuqia e saj është rritur në korridoret e brendshme të stadiumit.

Nuk ishte e mundur për Abc News-in që të merrte një koment nga drejtuesit e lartë të “Arenës Air Albania”.

Në stadium vazhdojnë punimet, ndonëse është e vështirë të dallosh nëse flitet për rregullim të dëmeve, apo thjesht për vijim të procesit të përfundimit të impiantit.

Burime nga “Arena” bëjnë me dijë se dëmet ka disa ditë që po rregullohen dhe se tani thuajse gjithçka është në rregull.

Kjo do të thotë se nuk do të ketë asnjë problem për tifozët dhe publikun që do të ndjekë Ndeshjen e Yjeve, të organizuar për mbledhjen e ndihmave për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar.

/abcnews/


Shtuar 9.01.2020 16:08