Super start i Brojës te Vitesse, dopiet në ndeshjen miqësore (VIDEO)

Vetëm dy ditë më parë Armando Broja u bë zyrtarisht pjesë e skuadrës holandeze të Vitesses, ku do të luajë për një sezon në huazim, ndërsa kaq i mjaftuan djaloshit nga malësia e Madhe që të tregojë atë që di të bëjë më mirë, të dërgojë topin në rrjetë.

I aktivizuar në pjesën e dytë të miqësores mes Vitesses dhe Go Ahead Eagles, sulmuesi 19-vjeçar shqiptar arriti të lërë gjurmë menjëherë, duke shënuar dy gola dhe duke vulosur suksesin me rezultatin 4-0 në favor të verdhezinjve.

Fillimisht një top i rrëmbyer ndaj mbrojtësit kundërshtar dhe më pas vrapim deri në zonë, ku mposhti portierin me një gjuajtje elegante, ndërsa më pas mori mirë një top vertikal nga shokët e skuadrës dhe e dërgoi në rrjetë.

Pas dy vitesh mjaft të mira me ekipet e moshave të Chelseat, ku arriti të debutojë edhe me skuadrën e parë në një ndeshje të Premier Leagues, Broja e nis me këmbën e mbarë edhe në kampionatin holandez.

Tashmë sulmuesi i Kombëtares Shqiptare do të ketë një sezon në dispozicion për të shënuar sa më shumë gola dhe për të bërë një hap akoma më të madh në karrierën e tij, që ka nisur të ndritë që në hapat e parë.


Shtuar 24.08.2020 10:19