Suarez: Duhet të përmirësohemi

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, e ka pranuar se skuadra katalonase duhet patjetër të përmirësohet, nëse vërtet dëshiron ta fitojë Superkupën e Spanjës në mesjavë.

Barcelona e pret Atletico Madridin në gjysmëfinale të Superkupës të enjten në Camp Nou, pas një barazimi zhgënjyes kundër Espanyol në derbin katalonas në La Liga të shtunën.

Kampioni spanjoll e përmbysi rezultatin dhe po fitonte 2:1 deri në minutat e fundit të takimit, në të cilin mbeti me një lojtar më pak për një çerek lojë pas përjashtimit të Frenkie de Jong me karton të kuq, por nuk ia doli të mbahej dhe i lëshoi dy pikë të tjera duke e lejuar Real Madridin të barazohet me të me pikë në krye të renditjes tabelore.

“Ne e bëmë gjënë më të vështirë, e kthyem rezultatin në stadiumin e rivalit”, tha Suarez.

“Mendoj se sot i humbëm dy pikë. Gjërat duhet të përmirësohen, pavarësisht se a barazon, humb apo fiton”, shtoi ai.

“Duhet ta vlerësojmë atë që ndodhi dhe të përmirësohemi pastaj. Duhet të përmirësohemi para Superkupës”, theksoi ai.


Shtuar 5.01.2020 08:28