Sot rikthehet futbolli në Spanjë, nis me ndeshjen më të gjatë të shtyrë në historinë e futbollit

Ndeshja më e gjatë e shtyrë në historinë e futbollit do të rinis sonte pasi Rayo Vallecano dhe Albacete luajnë vetëm pjesën e dytë të ndeshjes që filloi në dhjetor.

Të dy palët do të luajnë 45 minutat e mbetura në stadium të zbrazët të mërkurën, pasi ndeshja ishte ndërprerë gati gjashtë muaj më parë për shkak të brohoritjeve fyese, dhe Albacete do të luajë me 10 lojtarë pasi lojtari i tyre Eddy Israfilov mori karton të kuq në fund të pjesës së parë më 15 dhjetor.

Gjatë pjesës së parë të kësaj ndeshje të Segunda Division, tifozët e Rayo akuzuan sulmuesin ukrainas të Albacete, Roman Zozulya se ishte nazist dhe i përkiste grupeve të ekstremit të djathtë në atdheun e tij.

“Mendoj se diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë në histori”, tha trajneri i Albacete, Lucas Alcaraz të martën.

“Nuk ka asgjë më të dobët se sa të përgatitësh një ndeshje që duhet të fillosh me 10 lojtarë, që të luash pas tre muajve pasivitetit, pa tifozë”.

Alcaraz në të vërtetë nuk ishte menaxheri kur të dy ekipet u takuan në dhjetor – pasi Luis Miguel Ramis u shkarkua si trajner i Albacete në shkurt.


Shtuar 10.06.2020 13:15