Skriniar shuan zërat: Conte më do te Interi

Milan Skriniar humbi vendin e titullarit në javët e fundit të sezonit dhe me konfirmimin e Antonio Contes në pankinë, mediat italiane e kanë renditur në krye të listës së futbollistëve që do të lënë zikaltrit gjatë merkatos së vjeshtës.

Megjithatë nga Sllovakia, ku është në grumbullim me kombëtaren e vendit të tij, Skriniar ka mohuar zërat për largimin nga zikaltrit dhe ka konfirmuar se marrëdhëniet e tij me Conten janë mjaft të mira.

“Unë nuk kam asnjë njoftim nga klubi, se kanë në plan të më shesin. Për më tepër edhe Conte më dëshiron në skuadër. Natyrisht që ai ka një organikë me 30 futbollistë dhe shpesh i duhet të bëjë zgjedhje, por këto u bën për të mirën e Interit, jo për të mërzitur futbollistë të caktuar. Po punoj shumë dhe do të mbetem te Interi, pasi kam edhe 3 vite kontratë”, deklaroi Skriniar.

Mbrojtësi sllovak e pranon se ishte mësuar të luajë rregullisht dhe se qëndrimi në stol në javët e fundit nuk ka qenë fort pozitiv, por thekson se mbi të gjitha vendos interesin e skuadrës.


Shtuar 2.09.2020 18:02