Sinjale largimi të Jorginhos nga Chelsea, agjenti: Nuk mund ti thuash jo Juventusit

Juventusi ka shfaqur interesim për mesfushorin e Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar por marrëveshja nuk u arrit. Kohët e fundit agjenti i lojtarit ka thënsë se Jorginho mund të largohet në fund të sezonit nga Stamford Birdge pasi nuk mund të refuzojë Juventusin.

Ish-mesfushori i Napolit e kishte ndjekur trajnerin Maurizio Sarri në Stamford Bridge dhe qëndroi në skuadër edhe nën Frank Lampardin, duke i fituar edhe zemrat e tifozëve që në fillim e kishin kritikuar.

“Gjithçka mund të ndodhë në afat kalimtar. Unë i thashë “pse jo?” Juventusit sepse Jorginho ka kontratë trevjeçare me Chelsean, kështu që prioriteti është qëndrimi aty, mirëpo ne do ta shqyrtojmë edhe mundësinë e largimit nga klubi në korrik”, ka thënë agjenti Joao Santos.

“Në atë rast, nëse do largohemi, atëherë do t’i shqyrtojmë ofertat nga Italia, Franca dhe Anglia. Pse të jetë i pamundur kalimi në Juventus? Është klubi më i rëndësishëm në Itali, klubi që ka fituar më së shumti në vitet e fundit. S’do t’i thoshim jo Juventusit”.

Emërimi i Sarrit në pozitën e trajnerit të bardhezinjve i kishte nxitur fillimisht spekulimet se edhe Jorginho do të kalonte së shpejti në Allianz.

“Është e natyrshme sepse Sarri ishte trajneri i Jorginhos edhe në Napoli e edhe në Chelsea. Lojtari ishte kyç në taktikat e tij gjatë katër vjetëve të fundit, e njeh në detaje sistemin e tij të lojës dhe për këtë arsye kanë nisur spekulimet”, vazhdoi përfaqësuesi i Jorginhos.

“Nëse Juventusi, që veçse e ka një skuadër mjaft të mirë, do të kishte nevojë për të dhe Chelsea do të ishte i gatshëm ta shesë, ne do ta shqyrtonim këtë mundësi, pa asnjë dyshim. Pastaj do të varej nga dy klubet për ta arritur marrëveshjen”.

“Askush nga Juventusi, as tani e as në të kaluarën, s’më ka kontaktuar për të folur për Jorginhon. Klubi duhet të flasë me Chelsean së pari, pasi që bisedat me mua nuk do ta ndryshonin situatën shumë”.


Shtuar 8.02.2020 11:51