Sevilla triumfon ndaj Man Utd dhe siguron finalen (VIDEO)

Vazhdojnë surprizat në ndeshjet e kompeticioneve europiane.

Pas eliminimit të bujshëm të Manchester CIty-t mbrëmjen e djeshme në çerekfinalet e Champions League kundër Lyon-it, mbrëmjen e sotme ka ardhur radha e kushërinjve të Manchester United që të shkojnë në shtëpi.

Djajtë e Kuq janë mundur 2-1 në gjysmëfinalen e Europa League të luajtur kundër Sevilla-s në Koln. Ka qenë një fitore me përmbysje për skuadrën e Lopetegui-t.

Anglezët kanë kaluar në avantazh pas vetëm 9 minutash lojë me një penallti spektakolare të Bruno Fernandes.

Kjo ka qenë edhe penalltia e 22-të e marrë nga United në ndeshjet e këtij sezoni të luajtur në të gjitha kompeticionet, më shumë se çdo skuadër në 5 kampionatet kryesore të Europës në një sezon të vetëm që nga Barcelona në 2015-16 (24).

Spanjollët kanë barazuar me Suso-n në minutën e 26-të dhe kanë përmbysur gjithçka në të 78-ën me De Jong, i cili ka përfituar nga një pozicionim i keq i mbrojtjes së United.

Sevilla do të ndeshet në finale me fituesen e Inter-Shkahtar, ndeshje që do të luhet nesër në mbrëmje.


Shtuar 16.08.2020 21:01