Raiola flet për të ardhmen e klientëve të tij

Mino Raiola është një nga agjentët më me ndikim në botën e futbollit, pasi përfaqëson emra të njohur të këtij sporti si Zlatan Ibrahimoviç, Paul Pogba, Erling Haalang, Mario Balotelli, etj., të cilët janë bërë shpesh objekt i thashethemeve të merkatos këtë verë.

Vetë Raiola, në një intervistë për mediat italiane, ka folur për rinovimin e mundshëm të Ibrës me Milanin, por edhe të ardhmen e futbollistëve të tjerë, të cilët kanë zgjedhur të përfaqësohen nga i ashtuquajturi “superagjenti”.

Ibra: Nesër nuk do të jetë në grumbullim. Negociatat për kontratën e re po ecin dhe po vijojmë të flasim. Nuk është thjesht çështje parash, por edhe bindjesh e stili. Për t’u bërë një martesë, duhet të jenë të bindur të dy palët dhe ne po flasim për të arritur një marrëveshje. Jemi optimistë.

Pogba – Do të qëndrojë te Manchester United. Klubi ka një projekt mjaft interesant dhe Paul është 100% i përfshirë. Ata nuk pranojnë asnjë ofertë këtë verë për shitjen e Pogba, ndaj së shpejti do të flasim për rinovimin e kontratës, pa u stresuar

Haaland – Ai është një peng për ata që nuk e morën dhe një ëndërr për ata që duan ta marrin. Ndihet shumë mirë te Borussia e Dortmundit dhe do të qëndrojë aty me siguri edh për sezonin e ardhshëm. Nuk është momenti për lëvizje, pasi si unë edhe ai jemi të ndërgjegjshëm që në këtë moment të karrierës, duhet të vijojë rrugëtimin e rritjes te Dortmundi.

Balotelli – Një botë e tërë kanë opinionin e tyre mbi Marion dhe do t’ua ndryshojmë vetëm me punë e fakte. Pandemia na ka penguar, por tani po flasim me skuadra të ndryshme dhe do të vlerësojmë mundësinë më të mirë për t’u rinisur. Sigurisht që Mario nuk është një sulmues i mbaruar dhe futbolli ka ende nevojë për të. Edhe në Itali ka merkato, pasi po flasim me dy skuadra, por edhe jashtë vendit. Të shohim ku do të luajë sezonin e ardhshëm.


Shtuar 24.08.2020 07:39