Raiola deklarata të forta ndaj FIFA-s: Është si mafia, nëse i del kundër, vdes

Menaxheri i njohur Mino Raiola ka lëshuar deklarata të ashpra në adresë të qeverisë botërore të futbollit, FIFA, për të cilën ka thënë se është një sistem mafioz, që të vret nëse i del kundër dhe flet keq për të.

Raiola është pezulluar për një vit nga FIFA, por pavarësisht kësaj ka gjetur mënyra për të kryer detyrën e tij, ndërsa në një intervistë deklaroi se është i vetmi që po provon t’i dalë kundër sistemit.

“FIFA është si mafia. Nëse flet keq, vdes. Ka dy mënyra për t’u përballur me të: E para t’i dalësh kundër dhe këtë e kam bërë për shumë vite, por me pak sukses, pasi kam qenë i vetmi i interesuar dhe e dyta të krijosh një sistem të ri, për të cilin po punojmë tani. Ka ardhur koha për revolucion në futboll”, deklaroi Raiola.

Më pas menaxheri i njohur për transferimet më të bujshme në historinë e futbollit, deklaroi se ka qenë ai që ka shpikur mënyrën moderne të të bërit të merkatos, ndërsa shtoi se për kalimin e Haland te Borussia Dortmund kishte shumë kohë që punonte.

“Merkatoja ngre siparin më 1 janar ose më 1 qershor, por për të realizuar transferimet punohet shumë kohë më parë dhe pa dashur të jem arrogant, mund të them se këtë mënyrë e kam shpikur unë. Për Haland kam punuar më tepër se një vit, fillimisht duke folur me babanë e tij dhe më pas duke dëgjuar ofertat sportive e ekonomike të shumë klubeve, derisa zgjodhëm projektin e Dortmundit”, tha menaxheri i njohur napolitan./ss/


Shtuar 6.02.2020 09:08