Presidenti i klubit francez dëshiron ti japë fund kampionatit menjëherë

Presidenti i Brestit në Ligue 1 të Francës, Denis Le Saint është rreshtuar në krahun e atyre që duan t’i jepet fund sezonit menjëherë, për të mos rrezikuar shëndetin e futbollistëve, por edhe të njerëzve të sportit prej koronavirusit.

Në një intervistë të dhënë për L’Equipe”, Le Saint deklaroi se nuk ekzistojnë kushtet dhe garancitë më minimale që ky sport të mund të vijojë, ndaj bëri thirrje për të marrë vendime “të dhimbshme, por të drejta”.

“Shëndeti është një faktor esencial, për të cilin duhet të marrim vendime të forta. Futbolli nuk është prioritet në ditët e sotme, por thjesht një hobi. Francezët nuk kanë pikën e dëshirës për të hyrë në stadium dhe të luhet pa praninë e publikut, është diçka që nuk e dëshiron askush, pasi i heq vlerat dhe bukurinë futbollit. Nuk ka sens të vijojmë të luajmë kështu, pasi aspekti financiar është për t’u marrë në konsideratë, por shëndeti është më i rëndësishëm.

Bresti renditet në vendin e 14 në kampionatin francez dhe një nga ndeshjet që duhet të luajë në raste se gjithçka do të rifillojë, është transferta e Parisit, që është njëkohësisht vendi më i prekur nga koronavirusi në Francë, ndaj presidenti i Brest deklaron se nuk do të dërgojë skuadrën e tij në kryeqytet.

“Unë as që nuk e marr në konsideratë të dërgoj skuadrën time të luajë në Paris, në maj apo në qershor. Rreziqet janë shumë të mëdha dhe unë kam mjaftueshëm respekt për lojtarët e stafin e skuadrës time, ndaj nuk dua t’i përfshij. Për mua Ligue 1 ka përfunduar dhe kampionati duhet të mbyllet edhe zyrtarisht, pasi zhdukja e këtij virusi kërkon lëvizje sa më të pakta dhe kohë të gjatë në dispozicion”, deklaroi Le Saint.


Shtuar 5.04.2020 08:28