Partizani shkatërron Luftëtarin (VIDEO)

Partizani ka marrë fitoren e parë të këtij viti. Të kuqtë nuk hasën pengesa në transfertën e Gjirokastrës përballë Luftëtarit.

Takimi nisi mirë për miqtë teksa në minutën e dytë Shala grushtoi topin por nuk e largoi nga zona, teksa i gjendur aty pranë Solomon nuk e pati të vështirë për të realizuar golin e parë.

Kryeqytetasit nuk e ulën ritmin dhe vazhduan insistimin drejt portës kundërshtare për të gjetur edhe golin e dytë me anë të Brojës.

Mesfushori goditi nga jashtë zonës ndërsa sërish portieri Shala mund të bënte më mirë. Më avantazhin e dyfishtë të “demave” u mbyll pjesa e parë.

Ndërkohë, në fraksionin e dytë Partizani gjeti edhe golin e tretë. Ai që siguroi triumfin ishte Uilliam Kordeiro i cili me një goditje kirurgjikale nuk i la asnjë shans reagimi portierit Shala.

Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Partizani mori tre pikë të vyera për të dalë nga kriza.

Partizani ngjitet në vendin e tretë me 31 pikë në pritje edhe të ndeshjes së Teutës. Nga ana tjetër, Luftëtari mbetet në pozita të rënduara teksa klasifikohet në vendin e parafundit me vetëm 12 pikë të grumbulluara.


Shtuar 2.02.2020 14:54