Mourinho: Provuam gjithçka, edhe Liverpool e di që ishte me fat

Trajneri i Tottenham Hotspur, Jose Mourinho, foli për faqen zyrtare të klubit pas humbjes 0-1 kundër Liverpool. Në fjalën e tij, “Special One” u shpreh: “Përveç rezultatit, gjithçka tjetër ishte perfekte.

Gjithsesi, disa herë futbolli është i pamëshirshëm dhe sot ishte një nga ato ditë kur futbolli nuk tregon mëshirë. Liverpooli është skuadër fantastike, por sot edhe ata e dinë që ishin një ekip me fat.

Krijuam shumë raste, skuadra ime kishte kontrollin. Ne nuk i lejuam ata të luanin dhe të na dominonin. I luajta të gjitha kartat e mia, aktivizova edhe Lamelan që nuk luan prej tre muajsh. Ne i provuam të gjitha, duhet të provonim me të gjitha mënyrat.

Dhamë gjithçka, ishte paraqitja më e mirë që kemi bërë që nga koha kur unë kam ardhur këtu. Meritonim më shumë se çka morëm, është për të ardhur keq. Ne jemi stërvitur në mënyrën e duhur gjatë gjithë javës, djemtë e dinin se çfarë duhet të bënin.

Pësuam një gol nga rivënia anësore, për të ardhur keq. Përveç këtij momenti, ishin fantastikë përgjatë gjithë takimit. Nuk kishim asnjë sulmues në fushë, mungesa e Kane ndihet. Po të ishte ai, do të kishim shënuar disa gola”, tha mes të tjerash Jose Mourinho.


Shtuar 11.01.2020 21:08