Kombëtarja e Portugalisë dhuron premiot e Europianit për futbollin amator

Kriza financiare prej koronavirusit po dëmton shumë futbollin. Por nëse gjithmonë flitet për ligat më të rëndësishme europiane dhe klubet më të mëdha, problemet financiare të tyre as që krahasohen me ato të futbollit të moshave dhe futbollit amator. Për këtë arsye Cristiano Ronaldo dhe shokët e tij në kombëtare kanë bërë një gjest fisnik.

Sipas “A’Bola”, futbollistët e përfaqësueses së Portigalisë kanë vendosur që të japin shembullin e mirë. Kështu, të 36 lojtarët që kanë zbritur në fushë gjatë eliminatorve të Euro 2020 duke siguruar kalimin në fazën finale, bashkë me stafin teknik, kanë vendosur që të heqin dorë nga bonuset që do të përfitonin nga Federata Portugeze.

Ata kanë bërë të ditur që këtë shifër do ia linin kësaj të fundit, për ta përdorur për të ndihmuar pikërisht këto klube që janë në krizë të thellë. Bëhet fjalë për një milion euro, shifër që do të ndihmojë shumë klube që të sigurojnë vazhdimësinë në momentin e duhur, pasi disa prej tyre tashmë nuk kanë mundësi as të paguajnë për fushat stërvitore apo për të mbajtur hapur stadiumet, si pasojë e mungesës së të ardhurave nga kriza globale ekonomike.


Shtuar 14.04.2020 12:18