Juventusi në “luftë” me gjigandët europianë për yllin italian

Mediumet italiane kanë zbuluar se Juventusi është futur në garë për ta transferuar yllin e ri të Brescias, Sandro Tonalin. Mirëpo, bardhezinjtë s’do ta kenë të lehtë ta arrijnë këtë transferim, shkaku i konkurrencës nga klubet e mëdha të Evropës.

Presidenti Massimo Cellino arriti ta mbajë në skuadër italianin e talentuar verën e kaluar dhe tashmë vlera e tij është shumëfishuar pas ndeshjeve në ligën elitare.

SportItalia raporton se klube të mëdha evropiane si Paris Saint-Germaini, Liverpooli, Manchester Unitedi dhe Manchester City janë të interesuara për mesfushorin, i cili tani vlerësohet me 50 milionë euro.

Mediumi italian shkruan se Juventusi është megjithatë favoriti për ta transferuar futbollistin, pasi që tashmë klubi është duke e planifikuar një të ardhme me Tonalin në skuadër.

Pasi e siguroi Dejan Kulusevskin nga Parma këtë muaj, Juventusi tani dëshiron t’i sigurojë shërbimet edhe të Tonalit, pasi që Interi dështoi në tentimin e vet për ta transferuar 19-vjeçarin.

Tonali ka luajtur në 18 ndeshje në Serie A këtë sezon dhe e ka shënuar një gol dhe i ka bërë dy asiste. Megjithatë, ai s’ka arritur ta ndihmojë Brescian të dalë nga zona e rrezikut.


Shtuar 16.01.2020 10:47