“Histori si në filma”, me firma false dhe llogari bankar, çfarë ndodhi me Erald Çinarin

Erald Çinari është pezulluar nga FIFA, për shkak se ka nënshkruar dy kontrata. Sulmuesi i Partizanit nuk mund të luajë për katër muaj, ndërkohë që edhe klubi i kuqe e ka pësuar rëndë. 80 mijë euro gjobë dhe merkato e bllokuar në dy dritaret e transferimit në vazhdim.

Sigurisht kampionët në fuqi do ta apelojnë vendimin e FIFA, marrë pas denoncimit të Istra. Kroatët e kishin marrë nga Alaves, klub me të njëjtët pronarë. Gjithsesi ka shumë prapaskena në këtë çështje, zbuluar nga vetë administratori i Vllaznisë, Suad Lici.

“Është një histori si nëpër filma. Unë veproj duke u bazuar te shkresat. Më kanë bërë një kërkesë për lejen e kalimit për lojtarin Eraldo Çinari, ku ndër to ishte edhe marrëveshja që dikur klubi Vllaznia kishte rënë dakord me Alavesh”, tregonte në gusht të vitit 2018 Lici, në një intervistë për “Panorama Sport”.

Mes të tjerash ai zbulonte shumë parregullsi: “Sapo kam parë firmën e kryetares së Bashkisë, i kam çuar shkresë përcjellëse dhe më ka kthyer përgjigje zyrtare që nuk ka pasur asnjë lloj marrëveshje me klubin spanjoll. Dokumente zyrtare janë vetëm ato që kam komunikuar unë me klubin spanjoll dhe kroat që i kam bërë të ditur çdo situatë në detaje. U kam bërë të ditur se lojtari ka klauzolë 100 mijë euro,

Kryetarja e Bashkisë thotë se firma dhe i gjithë dokumenti i marrëveshjes është i falsifikuar. Numri i llogarisë bankare të klubit të futbollit Vllaznia figuron në Itali, gjë që është krejtësisht absurde. Është një lojë shumë e pisët. Klubit spanjoll ia kemi vendosur në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe klauzolat e kontratës.

Shkresa që pretendojnë spanjollët se është arritur marrëveshja është pa numër protokolli, kështu që është lehtësisht e verifikueshme që shkresa nuk ka dalë nga klubi Vllaznia. Pavarësisht pretendimeve, të gjitha janë të verifikueshme. Edhe familjarët janë viktimë. Nuk e di si ka ndodhur e gjithë kjo histori. Klubi spanjoll pretendon se ka derdhur 20 mijë euro në numrin e llogarisë që ndodhet në Itali.

Ne nuk e dimë nëse janë derdhur dhe kush i ka marrë ato para. Spanjollët pretendojnë se u ka shkuar një e-mail nga klubi Vllaznia që jemi dakord për shifrën e 20 mijë eurove. Ky dokument më ka ardhur mua në dorë dhe në momentin që kam parë firmën e kryetares së Bashkisë i kam bërë shkresë përcjellëse dhe ajo është habitur kur e ka parë.

Kryetarja e Bashkisë ka dërguar vetëm një dokument ku thotë se jemi të gatshëm si klub që të negociojmë duke u shpjeguar atyre kontratën, pikat dhe detyrimet që duhet të paguhet për lojtarin në fjalë. E gjithë kjo për të mos u bërë pengesë për lojtarin. Çdo gjë është e thjeshtë dhe e qartë”, tregonte Lici, ndërkohë që prej atëherë nuk u zbulua asgjë çfarë kishte ndodhur.

Istra e mori në ekip Çinarin, i cili më pas u detyrua të kthehet në Shqipëri. Vllaznia më pas gjeti marrëveshjen me Partizanin për shumën e 40 mijë eurove, kjo e konfirmuar përmes një deklarate të postuar nga klubi shkodran në kanalet zyrtare të komunikimit.


Shtuar 17.07.2020 07:35