Higuan nuk ka ndërmend të largohet nga Juventusi: Kam edhe një vit kontratë

Juventus po planifikon që këtë verë të largojë disa prej lojtarëve të saj. Dhe midis emrave të përmendur është edhe sulmuesi Argjentinas, Gonzalo Higuain, i cili nuk ka zhvilluar një sezon të mirë me bardheiznjtë. Paga e tij mjaftë e lartë është një tjetër problem për drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”. Higuain fiton rreth 7.5 milionë euro neto në sezon.

Megjithatë kur ka mbetur edhe një vit nga përfundimi i kontratës që mban të lidhura palët, largimi i argjentinasit nga Torino nuk do të jetë aspak i lehtë, pasi sulmuesi nuk ka ndërmend të pranojë zgjidhjen e kontratës.

Pas babait të tij, edhe vetë Gonzalo Higuain ka deklaruar se dëshiron të respektojë kontratën me Juventusin dhe se më datën 24 gusht do të paraqitet rregullisht në grumbullim, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri.

“Tani jam mirë dhe më datën 24 do të kthehem në Torino për të rinisur përgatitjet. Kam edhe një vit kontratë me Juventusin dhe jam i prirur ta respektoj. Tani te Juve ka ardhur një trajner i ri, ndaj do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar sulmuesi Gonzalo Higuain.


Shtuar 18.08.2020 12:09