Gjyqtari i njohur italian tregon gabimin më të madh në karrierës

Ish gjyqtari i Serie A, Paolo Tagliavento, pranon se VAR do t’i mundësonte të shmangte pesë gabimet më të rënda në karrierën e tij, përfshirë edhe rastin te goli i Sulley Muntarit.

Ky incident ishte një nga arsyet kryesore pse u prezantua teknologjia për përdorim në futboll.

Në shkurt të vitit 2012, në një ndeshje direkte për titull në Serie A mes Milan dhe Juventus, një gjuajtje e Muntarit kishte kaluar vijën e portës para ndërhyrjes së Giggi Buffon, por që nuk ishte vërejtur nga gjyqtarët.

“Goli i Muntarit ishte gabimi im më i dukshëm që në ditët e sotme do të zgjidhej brenda 10 sekondave me teknologjinë”, ka deklaruar Tagliavento, përcjell lajmi.net.

“Ishte një çështje ku të gjithë kishin rolet e tyre, sepse në kohën kur ne nuk kishim gjyqtarë shtesë, as teknologji, mënyra e vetme për të vlerësuar nëse topi kishte kaluar vijën ishte gjyqtari anësor”.

“Në atë moment, ai më siguroi se nuk kishte kaluar plotësisht. Nga pozicioni im, unë sigurisht që nuk mund të shikoja atë”.

“Nëse do të kisha VAR, do të më lejonte të shmangia pesë gabimet më të këqija të karrierës sime”.


Shtuar 20.05.2020 21:36