Egbo jep udhëzimet për të fituar derbin

Tirana vjen në derbi me moralin më të mirë të mundshëm. Këtë e kanë sjellë jo vetëm rezultatet e fushës, por edhe përballimi i situatave të ndryshme brenda skuadrës.

Dje, bardheblutë kanë zbritur në terrenin e rinovuar me bar natyral të “Skënder Halilit”, për të përgatitur ndeshjen e radhës përballë skuadrës tjetër të kryeqytetit. Por, trajneri Emanuel Egbo ka pasur një organikë jo me të gjithë titullarët në dispozicion.

PA TRE TITULLARË

Majkëll Ngo, Agustin Torasa dhe Elton Kale nuk kanë qenë dje të gatshëm për t’u stërvitur me skuadrën e parë. “Panorama Sport” ka mësuar edhe seancën stërvitore të skuadrës kryeqytetase gjatë paradites së djeshme, e cila i ka paraprirë derbit të vogël, mes Tiranës B dhe Partizanit B. Për këtë, është dashur që kryeqytetasit ta afrojnë orarin e stërvitjes, në 11:00, disi më herët sesa ditët e tjera.

MAJKËLL NGO

Kjo ka bërë që sulmuesi anglez, Majkëll Ngo, të paraqitet me vonesë në stërvitje. Ngo ka humbur pjesën e nxehmjes me shokët e ekipit dhe për pasojë nuk është futur në stërvitjen taktike. Ndaj, në fushën stërvitore, ai ka kryer vetëm pjesën atletike për të marrë ngarkesën stërvitore.

AGUSTIN TORASA

Agustin Torasa, i cili doli në minutat e fundit ndaj Kukësit me një dëmtim, dje ka punuar nën kujdesin e stafit mjekësor. Pas terapisë, mesfushori me tipare ofensive ka kryer vetëm vrapime të kronometruara rreth fushës dhe ushtrime të kontrolluara në palestër.

KALE

ELTON KALE

Braziliani Elton Kale ka marrë një ditë pushimi më tepër sesa shokët e tij, si masë parandaluese për një gjendje jo të mirë shëndetësore që po kalon. Futbollisti ka shfaqur shenja gripale dhe për këtë, stafi i ka përgatitur atij një trajtim mjekësor për të dalë nga kjo situatë. Gjithsesi, optimizmi në kamp është i tillë që të tre lojtarët, me trajtimin e veçantë dhe të kontrolluar, të kenë gjendje optimale për ndeshjen e radhës, ditën e premte në orën 19:00 në “Air Albania”.

STËRVITJA

Emanuel Egbo u ka bërë me dije futbollistëve që në fillim të stërvitjes se bëhet fjalë për ndeshjen e radhës, një ndeshje e vështirë dhe një ndeshje që vlen vetëm 3 pikë. Trajneri ua ka shpjeguar futbollistëve pjesën përgatitore të javës, çfarë duhet të kenë parasysh dhe se për çfarë do të duhet të fokusohen gjatë ditëve në vijim.

TAKTIKA

Trajneri Egbo ka kërkuar nga skuadra që të punojë me të dyja fazat e lojës. Në disa momente, ai e ka ndarë pjesën e mbrojtjes nga ajo sulmuese. Lojtarët kanë marrë udhëzimet se çfarë duhet të bëjnë në çdo moment, kur gjenden në kundërsulm, pra në inferioritet numerik pranë zonës së tyre përballë kundërshtarit, por edhe kur kanë shanset që të iniciojnë një aksion kundërsulmi. Pas ushtrimeve të nxehmjes nga përgatitësi atletik, bardheblutë kanë kryer disa ushtrime me topin, ku është kërkuar nga lojtarët saktësi në pasime dhe një ritëm i lartë. Më tej, Egbo, Xhafa dhe Jani kanë drejtuar ushtrimet për fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese. Në pjesën e fundit të stërvitjes, lojtarët kanë bërë ndarjen në dy grupe për të zhvilluar një minindeshje, ku nuk ka munguar ritmi i lartë, golat e bukur si dhe momentet e harmonisë dhe humorit, gjithashtu të shoqëruara edhe me kritikat e trajnerit kur kishte situata që duhet të zgjidheshin më mirë nga lojtarët.


Shtuar 25.02.2020 21:08