E ka skuadrën e tij, Ibra firmos për Hammarby?

Zlatan Ibrahimovic ende nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë te Milani edhe sezonin e ardhshëm apo do ta vazhdojë karrierën diku tjetër.

38-vjeçari shumë shpejt do t’i kthejë një përgjigje klubit kuqezi nëse do të rinovojë ose jo me Milanin, por nga Suedia po shtohen gjithnjë e më shumë zërat për firmën e Ibrahimovic me Hammarbyn skuadrën me të cilën po stërvitet aktualisht dhe është bashkëpronar.

Drejtuesit kanë filluar të ëndërrojnë aktivizimin e tij me skuadrën suedeze dhe drejtori sportiv, Jesper Jansson, konfirmon dëshirën e madhe në një deklaratë për Expressen.

“Ekzistojnë shanset që ai të vijë të luajë me Hammarby. Unë kështu mendoj, por vetëm Zlatan e di dhe ai do të vendosë. Nuk na ka thënë asgjë për momentin në lidhje me këtë temë dhe unë nuk kam ndërmend t’i them që e duam në skuadër. E kam kuptuar se çfarë tipi është, ai nuk do të zbulojë asgjë derisa të jetë 100% i sigurt, por, padyshim, do të na pëlqente shumë hipoteza e aktivizimit të tij me Hammarby”, komenton drejtori sportiv i klubit suedez.


Shtuar 11.05.2020 18:10