E ardhmja e Jurgen Klopp, zbulohet klauzola e rrallë në kontratë me Liverpool

Gjëja e fundit që te Liverpuli duan të shohin është momenti kur Jyrgen Klop të largohet nga “Anfield Road”.Por një gjë e tillë do të jetë e pashmangshme një ditë.

Tekniku gjerman, i cili i ka udhëhequr “Reds”-at në dy finale Champions-i radhazi dhe po marshon drejt titullit të parë kampion pas 30 vitesh, po i rikthen lavdinë e dikurshme klubit të Mersejsajdit, duke e shndërruar në një markë stilin e tyre të futbollit.

Në vitin 2019 ai firmosi kontratën e re 6-vjeçare, në të cilën “Independent” zbulon një klauzolë shumë interesante. Gjatë ditëve që ai do të bëhet gati të lërë klubin, Liverpuli do ta asistojë Klopin me gjithçka i nevojitet për t’u rikthyer në Gjermani, që nga transporti, deri tek akomodimi dhe ndihma për të gjetur një shkollë të përshtatshme për fëmijët e tij.

Ideja është që ky moment i shkurtër tranzicioni në jetën e Klopit të shoqërohet me sa më pak stres që të jetë e mundur në mënyrë që ai të jetë i përqendruar vetëm te puna e tij në detyrën e re që e pret.

Një klauzolë e tillë është diçka e pazakontë në kontratat e trajnerëve, por jo për Liverpulin që e sheh Klopin si një legjendë dhe kjo kontratë është si një testament i lidhjes së tij me klubin. Kur ai rinovoi në dhjetor, foli pozitivisht për bashkëpunimin e deritanishëm, i cili me zgjatjen me 6 vite të tjera, e bën karrierën e teknikut 52-vjeçar më të gjatën në një klub të vetëm.

“Për mua personalisht kjo është një deklaratë e vazhdimit të bashkëpunimit në bazë të asaj që kemi ndërtuar deri më sot dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë edhe në të ardhmen. Kur klubi më telefonoi në vjeshtën e 2015-ës për herë të parë, unë e dija se ne ishim perfekt për njëri-tjetrin. Besimi i plotë reciprok nga të dyja palët e bën shumë të thjeshtë angazhimin tonë të përbashkët deri në vitin 2024”, tha Klop pasi firmosi kontratën e re vitin e shkuar.


Shtuar 13.02.2020 15:11