“Ditën e parë kur erdhi në stërvitje, nuk guxoja ta shikoja në sy”, Messi flet për Henry

Lionel Messi ka zbuluar se e kishte vlerësuar dhe admiruar aq shumë Thierry Henry-n, saqë nuk kishte mundur ta shikonte në sy sulmuesin francez në takimin e tyre të parë në dhomën e zhveshjes në Barcelonë.

Në verën e vitit 2007 Henry iu bashkua Barcelonës nga Arsenali dhe Messi ishte i mahnitur nga partneri i ri në sulm.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë tani ka zbuluar momente nga takimi i tij i parë me ish-sulmuesin.

“Ditën e parë kur ai erdhi në stërvitje, nuk guxoja ta shikoja në sy”, tha Messi për Henry-n në një intervistë për gazetën franceze “L’Equipe”.

“Isha i vetëdijshëm për të gjitha që ai i kishte arritur në Angli. Ai tashmë kishte imazh të fortë dhe papritmas isha në të njëjtin ekip me të”, shtoi Messi.

“Unë ndiej një formë admirimi për Henry-n. Më pëlqente lehtësia me të cilën shënonte gola ai”, nënvizoi ai.

Edhe vetë Henry ka qenë adhurues i madh i Messit po ashtu, duke e lartësuar argjentinasin si ndër futbollistët më të mirë në histori të futbollit.


Shtuar 8.04.2020 19:15