Çfarë do të ndodhë me kampionatin? Serie A del me një komunikatë

Liga u pezullua për kohë të pacaktuar në mars për shkak të COVID-19 dhe Federata Italiane e Futbollit (FIGC) tashmë ka deklaruar se sezoni 2019/20 nuk do të rifillojë derisa të mund të garantohet shëndeti dhe siguria e të gjithë interesuarve.

Ministri i sportit italian Vincenzo Spadafora po shpreson të konfirmojë 4 majin për rikthimin në stërvitje të Serisë A sa më shpejt që të jetë e mundur, me kufizimet aktuale të lëvizjes dhe aktiviteteve në natyrë të vendosura për të përfunduar më 3 maj.

Ka pasur raporte që shtatë klube, përfshirë Torino dhe Sampdoria, janë kundër rifillimit të sezonit, por Lega Serie A lëshoi një deklaratë të hënën.

“Këshilli i Lega Serie A që u mblodh sot njëzëri konfirmoi qëllimin e tij për të përfunduar sezonin 2019/2020, nëse qeveria lejon që ajo të zhvillohet në përputhje të plotë me rregullat për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë”.

“Rifillimi i aktivitetit sportiv, në të ashtuquajturën Faza 2, do të zhvillohet në përputhje me rregulloret e përcaktuara nga FIFA dhe UEFA, me vendimet e FIGC, si dhe në përputhje me protokollet mjekësore për mbrojtjen e futbollistëve dhe të gjithë profesionistët”, thuhet ndër të tjera në reagimin e FIGC.


Shtuar 21.04.2020 10:41