Barcelona ndryshon strategji, i tregon derën lojtarëve më të paguar

Bilanci financiar i Barcelonës nuk është aspak i mirë, pasi vitet e fundit klubi ka kryer transferime vërtetë të kushtueshme dhe për më tepër ka një nivel pagash mjaft të lartë në organikë, ndaj edhe po programohet një operacion “fshesa”.

Përveç rinovimit të skuadrës pas një sezoni të dështuar, me largimin e disa futbollistëve që janë prej vitesh aty, klubi katalan synon të ulë ndjeshëm shifrën që shpenzon për të paguar lojtarët çdo sezon.

Kështu me largimin e Rakitiç dhe Arthur, por edhe ikjen e pritshme të Vidal, klubi i Barcelonës ia ka dalë të ulë me 40 milionë euro faturën vjetore të pagave, ndërsa nëse nga skuadra do të largohen edhe Messi e Suarez, kjo shifër do të ulet edhe me 120 milionë euro të tjera.

Gjithashtu nga klubi pritet të largohen edhe futbollistë të tjerë si Coutinho e Dembele, që përveçse do të sillnin para kesh në arkat e klubit, do të ulnin faturën e pagave edhe me të paktën 50 milionë euro të tjera.

Sipas llogarive të mediave pranë klubit katalan, në fund të merkatos së vjeshtës drejtuesit e Barcelonës synojnë të ulin me të paktën 120 milionë euro faturën e shpenzuar për pagat, shifër kjo që mund të shkojë më tepër se 200 milionë euro, nëse largohet edhe Messi.


Shtuar 2.09.2020 19:32