Arsenali firmos me yllin portugez

Arsenali është përforcuar me një mbrojtës në orët e fundit të merkatos në Europë. Klubi londinez ka mundur të marrë në formë huazimi nga Southampton portugezin Cedric Soares, që do të qëndrojë me topçinjtë deri në fund të sezonit.

28-vjeçarit, të cilit i përfundon kontrata me klubin nga St Mary në fund të sezonit, luante me bardhekuqtë që prej vitit 2015 dhe në total ka zhvilluar me këtë klub 100 ndeshje që kur u tranasferua nga Sportingu i Lisbonës.

Soares, i cili ka qenë i huazuar më parë dhe te Interi në Serinë A, aktualisht ka një problem në gju dhe debutimi i tij në Emirates mund të vonohet disi.

Drejtori teknik i Arsenalit, braziliani Edu e cilësoi si një afrim cilësor portugezin, të cilin e etiketoi si një lojtar me shumë përvojë në Premier League por dhe në arenën ndërkombëtare.

Soares pritet të jetë një vlerë e shtuar për repartin e mbrtojes së Arsenalit dhe afrimi i tij duhet të ofrojë më tepër alternativa për trajnerin Michel Arteta në realizimin e objektivave të vendosura nga klubi.


Shtuar 31.01.2020 15:24