Ajax “konfirmon” shitjen Van de Beek, ende nuk dihet destinacioni i ri i holandezit

Ajaxi i Amsterdamit po përgatitet për shitjen e Donny van de Beek. Trajneri i “harkëtarëve”, Erik ten Hag, pranon se ka pasur “disa zhvillime” rreth një mesfushori, i cili ka qenë i lidhur me Manchester United dhe Barcelonën.

Gjigandët holandezë janë të vetëdijshëm se gjithmonë do ta kenë të vështirë të mbajnë talentet e tyre, pasi ofertat që vijnë për ta janë të parezistueshme. Mjafton të kujtojmë arkëtimet që u siguruan nga shitja e dy talenteve de Jong dhe de Ligt vitin e kaluar, respektivisht te Barcelona dhe Juventusi, pa harruar dhe transferimin e Ziyech te Chlsea këtë verë.

Për 23-vjeçarin Van de Beek, ka pasur interesim konkret nga Barcelona dhe Manchester United, por nga raportimet e fundit mësohet se destinacioni i tij do të jetë “Old Trafford”. Gjithsesi, Barça mbetet rivale e fortë, pasi mesfushori mund të ndikohet nga Roland Koeman, trajneri holandez i “blaugranave”, që do të ishte i gatshëm t’i jepte një rol lideri krah Frenkie de Jong.


Shtuar 30.08.2020 07:05