Zbulohet baza e grupit kriminal në Tiranë, gjendet arsenal armësh brenda banesës (VIDEO)

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Yrsheku” duke zbardhur ngjarjen e ndodhur në datën 15.06.2020, në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, ku u qëllua me armë në drejtim të një kompleksi.

Gjatë operacionit u zbulua një banesë në pronësi të shtetasit G.H. që përdorej si bazë nga një grup i strukturuar kriminal.

Në banesë u gjetën dhe sekuestrua arsenal armësh zjarri, municione luftarake, lëndë eksplozive dhe granata.

Dyshohet se bashkautor në këtë ngjarje është edhe shtetasi E. M.

Policia arrestoi shtetasin G. H. dhe u shpall në kërkim shtetasi E. M.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15 armë zjarri (1 mitraloz i lehtë, 7 kallashnikovë, 3 pistoleta, 2 armë automatike MP7, 1 pushkë me dylbi dhe 1 armë gjahu) , 10 granata dore, 10 detonatorë, 10 kallëpe me tritol dhe fitil zjarrpërcjellës, një sasi fishekësh, një automjet dhe dy motorë sportivë.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi.


Shtuar 19.06.2020 11:14