Tri javët vendimtare: Plani për rihapjen e aktiviteteve, nga sot deri më 1 qershor

Kjo e hënë shënon fazën e tretë të hapjes dhe rikthimin në normalitet pas 2 muajve në izolim total të thuajse gjithë vendit.

Duke filluar nga sot, pjesa më e madhe e aktiviteteve të jetës së përditshme, por edhe e bizneseve do të lejohen të rifillojnë punën.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare nga sot do të jenë të hapura, e ndërsa qarkullimi në ato zona që janë shpallur të gjelbra do të jetë akoma dhe më i lehtë e fashat orare të daljes më të gjata.

“Nga data 11 maj lejohen të ushtrojnë veprimtari sipas protokolleve strikte të sigurisë, me të cilat bizneset janë njohur përgjatë kësaj kohe, aktivitetet si më poshtë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare. Do lejohet qarkullimi ndërqytetës brenda zonave të gjelbra me automjet privat (duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njëjtës familje) deri në orën 21:00. Duke filluar nga data 11 maj të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë”, theksoi Manastirliu.

18 MAJ

Ndërkohë, edhe java tjetër vjen me lajme të mira për një tjetër kategori biznesesh, siç janë baret dhe restorantet, që pas 9 javëve të mbyllura do mund të hapen për të pritur klientë, por shumë më ndryshe nga koha para virusit.

“Në vijim të planit të rihapjes, nëse do të vijojmë të kemi tregues të qëndrueshëm, sa u përket rasteve aktive ditore, numrit të të shtruarve në spitale, pacientëve në terapi intensive, kemi planifikuar që prej datës 18 maj: Do të fillojë zhvillimi i procesit mësimor dhe provimeve të maturës shtetërore, sipas udhëzimeve dhe protokolleve të miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik. Po në këtë datë, planifikojmë të hapen njësitë e shërbimit, bare dhe restorante vetëm në ambientet e jashtme deri në orën 17:30 me protokolle rigoroze të sigurisë.

Prej datës 18 maj planifikohet të hapen nën rregulla rigorozë: muzetë, galeritë e arteve dhe sitet arkeologjike sipas protokolleve dhe udhëzimeve të miratuara. Nga data 18 maj do të lejohen stërvitjet individuale të sportistëve në ambiente të hapura”, tha ministrja e Shëndetësisë.

1 QERSHORI

Nëse për të hënën e katërt të majit ende nuk ka asnjë lajmërim, për ditën e parë të verës, qeveria ka paralajmëruar hapjen e çerdheve dhe kopshteve publike e private.

Këto do të mund të hapen dhe kështu do mbeten të mbyllura shkollat e arsimit fillor dhe atij të mesëm, përveç maturantëve që do të mund të shkojnë në shkollë për t’u përgatitur për provimet e maturës.

HAPEN NE 18 MAJ

Baret dhe restorantet
Shkollat për maturantët
Muzetë, galeritë e arteve dhe sitet arkeologjike
Do lejohet stërvitja individuale në ambiente të hapura për sportistët

HAPEN SOT
Berberët
Parukeritë
Qendrat estetike
Qendrat tregtare
Klinikat dentare
Do lejohet qarkullimi në zonat jeshile edhe jashtë
qyteteve me mjete private.
Zgjerohet fasha orare për dalje deri në orën 21:00
Mbetet në fuqi ndalimi i grumbullimeve më shumë se pesë personave në ambientet publike, si dhe do të mbetet i mbyllur dhe transporti publik.


Shtuar 11.05.2020 12:05