Ka shkuar në 122 persona numri i të infektuarëve në tragetin “Elfterios Venizelos”, i cili që prej më shumë se 14 ditësh ndodhet në portin e Pireut, Greqi.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, trageti grek ka më shumë se 1 muaj që lundron mes Greqisë Turqisë dhe Spanjës, pasi në asnjë prej këtyre porteve nuk ka mundur të zbarkojë 382 pasagjerët që ka në bord.
Të lidhura
None found
Me 38 grekë ekuipazh, trageti u nis për në Cesme të Turqisë, ku mori edhe 344 punonjës nga 12 vende të ndryshme të botës, me destinacion Barcelonën, ku do të përdorej si hotel për punonjësit e një kompanie turke, e cila po ndërton në portin spanjoll një anije krocere shkruan tch.
Sapo trageti ka mbërritur në portin e Barcelonës, autoritetet spanjolle njoftuan se duhet të kthehej në vendin nga ishte nisur, pasi portet spanjolle janë të mbyllura, masë kjo e marrë për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Pak ditë më vonë, trageti u kthye ne Pire, por pas të gjithë tentativave të ambasadave të vende të huaja, prej nga ku janë dhe anëtarët e ekuipazhit për të riatdhesuar u vendos që trageti të mbahej në karantinë 14-ditore.
Një ditë më parë, ministria greke e Shëndetësisë ka njoftuar se në bordin e tragetit janë zbuluar dhe verifikuar 20 të infektuar, ndërsa pak pas mesditës të së enjtes (2 prill) kanë dalë testet e ekuipazhit me 122 të infektuar.
Situata komplikohet pasi me gjithë izolimin e të infektuarëve, duket se situata do të rëndohet pasi anija ka përdorur sistemin e kondicionimit për të mbajtur ngrohtë ekuipazhin, çka me gjasa ka përhapur kudo virusin vdekjeprurës.
Gjatë orëve të ardhshme, pritet dërgimi i pjesës së mbetur të ekuipazhit në një prej hoteleve të caktuara si karantinë, ndërsa po tentohet dhënia e ndihmës mjekësore brenda tragetit për të infektuarit.
