Teatri u prish, por nuk janë gati as lekët dhe as projekti final i të riut

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar ka zbuluar detaje nga projekti i Teatrit të Ri, i cili duket se nuk është në fazën finale të tij.

Siç shpjegoi kryebashkiaku, është ngritur një grup pune për të bërë të mundur marrjen e kredisë për godinën e re, ndërsa theksoi se një tjetër grup pune po merret me fazën finale të projektit.

Praktikisht, edhe pse godina e teatrit u shemb, për momentin nuk kemi gati as projektin final të të riut dhe as paratë për të.

“Teatri nuk u pranua nga artistët. Ne ishim me artistët. Prap nuk i kemi lekët. Do i bëjmë me lekët e bankës.

Do marrim nga Banka Europiane e Investimeve, marrim kredi nga Abu Dhabi për lumin e Tiranës, nga BERZH për filtrimin e ujit. Pra qeveria i jep Bashkisë garanci sovrane, ne këtë e marrim nga bankat.

Se pastaj thonë se jemi me oligarkët apo e bëjmë me oligarkët. Ne kemi 10-fishuar taksën e ndërtimit.

Dhe me këto do lajmë edhe kredinë. Për të gjitha këto, kjo do jetë mënyra e financimit. Në këto 3 muaj do punojmë me dy ekipe, detajimi i projektit dhe negociatorët prë kreditë”, tha Veliaj.

Veliaj ka sqaruar gjithashtu edhe faktin se pse Teatri u shemb gjatë natës.

“Konflikti mbi teatrin eskaloi kur u përfshi politika. Ne gjykuam se do të ishte e rrezikshme për protestuesit nëse do të prishej ditën.

Ne zgjodhëm momentin me riskun më të vogël, prandaj e bëmë ndërhyrjen në atë orë, më vjen mirë që nuk patëm të lënduar, as përdorim përtej eksesit të forcës, përtej shoqërimit për okupimin e hapësirës publike apo partive të mbaruara”, tha Veliaj.

Më tej ai shtoi se projekti plotëson edhe ëndrrën e kahershme të aktorëve për ambiente ndihmësve. “Në vend të kutive prej kartoni apo dollapëve plot myk, në dispozicion të aktorëve si ambiente ndihmëse do të jenë 520 m 2, ndërkohë që 1800 m 2 do të shërbejnë si ambiente ndihmëse për skenën”- tha Veliaj. /abcnews.al


Shtuar 18.05.2020 11:22