Rama: Ndarja e Kosovës, u gatua në një kuzhinë katunareske

Kryeministri Rama e ka cilësuar diskutimin për ndarjen e Kosovës, si mjaft absurd. Madje ai ka mohuar mbrëmjen e sotme që të jetë përfshirë në diskutime për ndarjen e Kosovës. Gjatë një interviste për “Top Story” në News 24 nga Moska ku ndodhet për vizitë si kreu i OSBE-së, Rama theksoi se ide të tilla janë gatuar në kuzhinën e disa mjediseve katunareske të politikës dhe disa mediave për të akuzuar kundërshtarët. Sipas tij, kjo nuk është gjë tjetër veçse për të helmuar opinionin publik.

“Unë nuk kam qenë asnjëherë dhe në asnjë rast ai që është treguar dhe që është karikaturizuar në mjedisin katunaresk të një zone dhe një medie të politikës shqiptare, që kërkon me insistim të akuzojë kundërshtarët apo kundërshtarët e prezumuar. Diskutimi absurd për ndarjen e Kosovës është një diskutim i përgatitur në një kuzhinë për të helmuar opinionin publik, në emër të një atdhetarizmi të gënjyer.

Disa heronj si Ramushi apo Iliri thjesht dhe vetëm shfrytëzojnë territore shpirtërore të atyre që janë të gatshëm ta marrin këtë helmim. Çdo marrëveshje e çfarëdolloj midis Beogradit dhe Prishtinës, do të kalojë në shumë filtra dhe në fund fare filtrin e opinionit publik.

Kjo që diku u mblodhën 2-3 veta për të ndarë një territor është përrallë banale, për të injektuar në shpirtin e vrarë të shumë njerëzve që kanë arsyet e tyre për të ushqyer një mllef ndaj atyre që kërkojnë të gjejnë një zgjidhje. Në momentin kur Serbia do të ulet në pikën fundore të rrugëtimit të dialogut për të materializuar njohjen, do të duhet të përcaktojnë kufirin kjo është e qartë”, tha më tej ai.


Shtuar 26.02.2020 20:54