PS-ja e përjashtoi, Gjetani tregon pse iu bashkua LSI-së: Më bindi tërmeti

I përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialistë Gjetan Gjetani ka zgjedhur që t’i bashkohet LSI, që sipas tij është një forcë që ka arritur të fitojë besimin e shqiptarëve. Për Gjetanin kjo zgjedhje ka ardhur pas tërmetit ku nuk ka kursyer kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Unë kam 16 muaj që jam larguar nga grupi i PS, më saktë më ka përjashtuar Edi Rama. Nuk kam ndërmend që të merrem me politikë, kam pritur që të përfundojë mandati, por rasti i tërmetit më bëri të ndryshojë mendje.

Kam parë që Rama ka pasur një mllef për qytetarët e Kurbinit dhe kjo është e pafalshme. Në Kurbin në administratë ka njerëz të paaftë dhe tërmeti më bindi që t’i bashkëngjitem një tjetër force politike.

Arsyeja përse ju bashkova LSI është se kjo forcë politike ka fituar besimin e qytetarëve shqiptarë dhe LSI është parti e shqiptarëve,“-tha ai.

I pyetur nëse do të kandidojë për një mandat tjetër Gjetani ka theksuar se ajo do të jetë një zgjedhje që do e marrë bashkë me strukturat e LSI. I pyetur në lidhje me djegien e mandateve nga opozita Gjetani e ka quajtur një vendim të gabuar./shqiptarja.com


Shtuar 28.01.2020 18:31