Policia vë shpërblim për shoferin që i hodhi granatën në zyrë ish-shefit

Personi në foto është Gëzim Saraçi, 50, vjeç i cili prej më shumë se 48 orësh është shpallur në kërkim policor, si autori i plagosjes së kryetarit të bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, dhe sekretares së tij, Erisa Qalliu, në ditën e fundit të 2019-ës.

Policia dyshimet më të forta për fshehjen e tij i ka në Berat, megjithatë burime bëjnë me dije, se ky nuk është qyteti i vetëm ku po kërkohet për Saraçin. Dhe pikërisht për kapjen e tij, policia ka vënë në dispozicion 1 mln lekë, për këdo që në kushtet e anonimatit do të mund të jap informacione të sakta për lokalizimin qe do të sjellë vënien në pranga të ish-shoferit të kryetarit Tushe.Mëngjesin e datës 31 dhjetor, Gëzim Saraçi hyn në zyrën e ish shefit të tij, ku pas një debati për disa minuta hodhi një granatë dore, duke lënë të plagosur jashtë rrëzikut për jetën, kryetarin Fatos Tushe dhe Erisa Qalliun, e cila kishte hapur derën e zyrës për të parë se çfarë po ndodhte mes tyre.

Në ato moment, pas hedhjes së granatës, Saraçi u largua qetësisht nga godina e bashkisë, për të humbur më pas gjurmët e për tu shpallur në kërkim nga policia.

Tushe, në të njëjtën ditë pas marrjes së trajtmit të specializuar, doli nga spitali, ndërsa sekretarja e tij, pësoi dëmtime më të rënda në pjesën e fytyrës, dorës dhe këmbës.

Nga burime brenda bashkisë thuhet se konflikti ka lindur në vitin 2017 kur kryebashkiaku e largoi nga puna ish shoferin e tij pasi thuhet se kishte marrë sinjalizime për shfrytëzim të pozitës së tij përballë bizneseve.

Megjithatë ish shoferi vijonte të ishte në boderotë e bashkisë së Lushnjes. Sipas dëshmive thuhet se Saraçi vazhdimisht përplasej me kryebashkiakun duke e shantazhuar me ekzistencën e videove që kërcënonte se do t’i bënte publike. Por rrjedhja e ngjarjeve tregon se Tushe ka refuzuar që të bëhet viktimë e shantazhit duke sjellë edhe reagimin ekstrem të ish shoferit të tij.

Hetimi i ngjarjes u kryen nga një grup i posaçëm hetimor i departamentit të policisë kriminale, të policisë së shtetit, të cilët mblodhën provat në zyrën e cila u kthye në një skenën e një atentati me dy të plagosur.


Shtuar 2.01.2020 20:32