Policia: Gomonia me 33 emigrantët kurdë e irakenë nuk u nis nga Shqipëria

33 emigrantë ilegalë irakenë e kurdë u kapën në zonën e Salentos në Itali. Fillimisht u aludua në median italiane se mjeti lundrues me të cilin udhëtonin emigrantët të ishte nisur nga toka shqiptare, çka ka sjellë dhe një reagim të policisë së shtetit në lidhje me rastin.

Policia njofton se mjeti nuk është nisur nga Shqipëria, por dyshohet të jetë nisur nga Turqia e më tutje nga Greqia drejt Italisë.

Deklarata e Policisë :

Në përgjigje të interesit të medias, lidhur me lajmin e kapjes së 33 emigrantëve kurdë dhe irakianë në zonën e Salentos, Itali, Policia e Shtetit bën me dije se:

Nuk ka asnjë provë apo të dhënë që mjeti lundrues të jetë nisur nga toka shqiptare.

Gjithashtu, nuk ka asnjë komunikatë apo deklarim zyrtar të forcave policore italiane apo të ndonjë institucioni tjetër që mjeti me emigrante të jetë nisur nga Shqipëria.

Sipas dyshimeve të para të autoriteteve italiane, nisur edhe nga shtetësia e emigrantëve, dyshohet se ata mund të kenë udhëtuar nga Turqia, nëpërmjet Greqisë, për në Itali.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të luftuar dhe goditur çdo tentativë trafikimi të qenieve njerezore apo çdo paligjshmëri tjetër.

Policia e Shtetit, duke përfituar nga ky komunikim, i kërkon medias që ta kontaktojë për informacion zyrtar e të saktë, për të shmangur keqinformimin e publikut.


Shtuar 5.01.2020 18:54