“Pashë gjurmë gjaku dhe këpucë”, flet dëshmitari i pengmarrjes në Kamëz

Pengmarrja e ndodhur në Kamëz është parë nga qytetarët që gjendeshin aty pranë.

Një prej dëshmitarëve tha për media se në vendin e ngjarjes ka parë gjurmë gjaku dhe një këpucë të personit të marrë peng.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 dhe kanë qenë 4 persona të maskuar që kanë rrëmbyer një person e më pas janë larguar me një mjet tip “Fuoristradë”, shkruan Fax neës.

“Unë kam parë vendin e gjakosur, pranë rrugës “Manhatan”. Pashë vetëm gjurmë gjaku dhe këpucën e personit që është rrëmbyer. Nuk kam qenë në vendngjarje, e mora vesh pak më pas. Ka ndodhur nga ora 11:00. Policia u njoftua pak me vonesë. E kishin marrë me dhunë. Ishin 4 persona të maskuar”, tha dëshmitari për “FaxNeës”.

Ndërkohë, Policia e Kamzës ka dhënë edhe versionin zyrtar të ngjarjes. “Rreth orës 11:44, në rrugën “London”, Kamëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit midis disa personave ende të paidentifikuar, është marrë jashtë dëshirës në automjet një nga personat e përfshirë në konflikt.

Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është vënë në ndjekje të automjetit i cili është larguar menjëherë nga vendngjarja. Në vendngjarje shërbimet e Policisë kanë gjetur automjetin e personit që dyshohet se është marrë jashtë dëshirës së tij nga personat me të cilët u konfliktua. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.


Shtuar 17.01.2020 12:47