Pas 7 muajsh arrati Kajmaku u arrestua dhe u lirua nga burgu, PD: Skenar mafioz!

PD ka reaguar pas lirimit të ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

Në një postim në facebook, Gazmend Bardhi e ka quajtur lirimin e tij një skenar mafioz dhe shkruan se arrestimi i tij, më pas lirimi ishte i llogaritur që “lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg”.

Sipas PD, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti e Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë.

Reagimi i plotë:

Një skenar mafioz u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia për të lënë të lirë Agim Kajmakun e Vorës.

Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg.

Agim Kajmaku, një fallsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumenta se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit.

Gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti e Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më parë!


Shtuar 8.07.2020 14:53