Parandalohet tragjedia në Karaburun, si u shpëtuan 3 peshkatarët (VIDEO)

Një ngjarje tragjike është parandaluar mesditën e sotme në Karaburun.

Sipas burimeve zyrtare, 3 peshkatarë kanë rrezikuar të mbyteshin me mjetin e tyre tip skaf plastik.

Menjëherë pas njoftimit, Delta Force dhe Policia Kufitare e Vlorës iu ka ardhur në ndihmë peshkatarëve të cilët tashmë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i Policisë:

Delta Force dhe Policia Kufitare Vlorë i’u ka ardhur në ndihmë 3 peshkatarëve të cilët rrezikuan të mbyteshin në det.

Pas njoftimit të marrë rreth orës 14:30, se në zonën e Karaburunit pranë vendit të quajtur “Shën Vasil”, 3 peshkatarë po rrezikoheshin të mbyteshin në det me mjetin e tyre lundrues tip skaf plastik, menjëherë u organizua një grup i posaçëm shpëtimi nga Delta Force dhe Policia Kufitare e Vlorës, i cili ka shkuar në kohë në adresën e dhënë nga peshkatarët.

Shërbimet policore sapo mbërritën në vend, bënë të mundur shpëtimin e 3 peshkatarëve Sh.M, A.M dhe R.S, të cilët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Si pasojë e motit të keq dhe detit të trazuar mjeti lundrues i peshkatarëve është përmbysur dhe fundon në det.

Tre peshkatarët kanë falenderuar shërbimet e Delta Forcë dhe Policisë Kufitare për reagimin e shpejtë duke ju dhënë ndihmë në kohë.


Shtuar 9.03.2020 18:16