Policia ka arrestuar dy persona në Tiranë, por për arsye të ndryshme.
Një prej tyre akuzohet për shitje të lëndëve narkotike ndërkohë që tjetri ka dhunuar partneren me të cilën bashkëjetonte.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasin D. S., 29 vjeç, banues në Tiranë.
“Arrestimi i këtij shtetasi u bë sepse në rrugën “Violeta Manushi”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëjetueses”.
Nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat“, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasi E. M., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, duke patrulluar në rrugën “Xhanfize Keko”, kanë konstatuar shtetasin E. M., të cilit, gjatë kontrollit fizik në xhepin e xhupit, i kanë gjetur 2 qese plastike me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.